Nga Kukësi te Kombëtarja, Agolli: Ndeshje e veçantë për mua, kam një kërkesë për tifozët

Kukësi do të luajë në turin e dytë të Ligës së Kampionëve përballë azerëve të Karabakut, ndërkohë që një shqiptar, do të jetë kundërshtar me Kukësin në këtë takim.

Bëhet fjalë për Ansi Agollin i cili mban veshur fanellën e kampionëve azerë dhe në një prononcim për “Supersport”, ai është shpehur se ky takim ka një rëndësi të veçantë për të. Sa i përket ndeshjes, Agolli ka një kërkesë për tifozët, ndërkohë që ka komentuar edhe të ardhmen e tij me Kombëtaren.

“Ndeshja? Kam 9 vite që luaj me Karabakun në turet e kompeticioneve europiane, por kjo është hera e parë që do të luaj përballë një skuadre shqiptare. Është diçka mjaft e veçantë dhe emocionuese për mua, por edhe për familjen time, që përjeton bashkë me mua këto emocione.

Tifozët? Besoj dhe shpresoj se tifozët e Kukësit, siç presin çdo skuadër, do më presin edhe mua dhe skuadrën time mirë, pavarësisht se në fushë të dy ekipet do të kërkojnë të bëjnë më të mirën për kualifikimin.

Kombëtarja? Të them të drejtën, është diskutuar mjaft kjo puna e kombëtares për mua dhe nuk kam asnjë koment të tepërt. Por mund të them se për respekt të asaj që kam dhënë për Shqipërinë, sa herë që do të më jepet rasti, do jem gati dhe do mundohem të jap më të mirën time për Kombëtaren”, u shpreh Agolli. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/