Nga Gavazaj te Gavazaj, Skënderbeu prezanton dy lojtarë të rinj

Skënderbeu po vijon me punën për forcimin e skuadrës, ku pas disa largimeve me peshë, sot ka prezantuar dy lojtarë të rinj të cilët shihen si futbollistë që mund të bëjnë mirë me ekipin bardhekuq.

Vendin e Enis Gavazajt në skuadër, pritet ta zërë vëllai i tij, Zenel Gavazaj i cili sot ka firmosur një kontratë me skuadrën korçare. Së bashku me Gavazajn, është afruar edhe mesfushori me tipare sulmuese Mohamad El-Kayed.

Të dy lojtarët kanë mbërritur në Korçë dhe janë vënë nën urdhrat e trajnerit Orges Shehi. Në fakt, El-Kayed është një lojtar i Skënderbeut që nga janari, por ka luajtur si i huazuar te Trepça 89′ në Kosovë.

“Zenel Gavazaj dhe Mohammad El-Kayed, janë zyrtarisht futbollistë bardhekuq. Të dy lojtarët kanë mbërritur sot në Korçë ku pas prezantimit zyrtar janë vendosur nën urdhrat e trajnerit Orges Shehi.

Zenel Gavazaj ka nënshkruar me klubin kontratë 3 vjeçare ndërkohë që El Kayed është pjesë e klubit prej janarit 2018 ku firmosi deri në 30 qershor 2020 dhe më pas u huazua tek Trepça 89’ në Kosovë.

Zenel Gavazaj është vetëm 18 vjeç, pjesë e rregullt e kombëtares kuqezi under-19 ndërsa sezonin e fundit luajti për Lirinë e Prizrenit duke zhvilluar një super sezon. Talent i padiskutueshëm, Gavazaj për Gavazaj në krahun e djathtë të mesfushës. E veçanta? Mund të luajë mjaft mirë me të dyja këmbët dhe të përshtatet dhe në krahun e majtë.

Mohammad El-Kayed, 21 vjeç, me nënshtetësi Suedeze është pjesë e ekipit përfaqësues under 23 të Palestinës luan si mesfushor organizator por në karrierë ka provuar të luajë dhe në krah si dhe në majë të sulmit”, ishte njoftimi i klubit korçar. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/

more recommended stories