Muzaka tregon pse nuk u largua: Nëse vdesim në luftë, të paktën të vdesim me lavdi

Gjergji Muzaka ka treguar sot në konferencë për shtyp se kishte vendosur që të qëndronte te Skënderbeu për të mos pasur pengje më pas në jetën e tij. Duke e cilësuar veten pranë fundit të karrierës, Muzaka ka bërë të qartë se tani për korçarët nuk ishte prioritet lufta për titull më shumë se ajo në KAS të Lozanës, ndaj ai nuk mund të braktiste klubin në këtë moment të vështirë.

“Erdha te Skënderbeu kur u krijua ky ekip i mrekullueshëm dhe mendoj se kam qenë pjesë e suksesit e lavdisë së këtij klubi. Të gjithë ne që kemi qenë pjesë e këtij klubi, e ndjenim obligim që sikur plotësuam pjesën e karrierës më të lavdishme, e kishim obligim të qëndronim edhe tani, në pjesën më të vështirë pas këtij dënimi.

Ashtu siç ka momente të mira, pas dënimit vjen një moment i vështirë të cilin do ta luftojmë të gjithë bashkë. Presidenti Takaj është i pari i kësaj familje dhe duhet falënderuar se ai e bëri sakrificën i pari që të mbahet ky grup që të luftohet të gjithë bashkë”, tha Muzaka.

Sipas tij, ka pasur ndryshime të mëdha, por klubi tani duhej të fokusohej kryesisht te beteja jashtë fushës për të pastruar imazhin e Skënderbeut.

“Janë larguar sportistë, ashtu si u largua edhe trajneri, i falënderojmë shumë se kanë qenë ndihmesë e madhe për ne, sidomos në vitin e fundit ku kemi pasur suksesin më të madh në Europë e në kampionat. Nuk duhet t’i gjykojmë sepse karriera siç e dimë është e shkurtër dhe ato kanë pasur arsyet e tyre madhore për t’u larguar. Në këtë betejë nuk është më e rëndësishme të dalim kampionë me 20, 10 apo 2 pikë diferencë. Kemi përpara një luftë më të vështirë sesa ky objektiv.

Me këtë grup që kemi, është mëse normale që të vazhdojmë të arrijmë sukseset që kemi pasur edhe më para. Unë do të fokusohem të kjo, por që nuk është ky objektivi primar i këtij Skënderbeu.

Ofertat nga Flamurtari? Është e vërtetë dhe jam i nderuar dhe i vlerësuar që trajneri Daja ka pasur interesim për shërbimet e mia. Dua ta falënderoj publikisht se një meritë e madhe e ecurisë dhe vlerave të shtuara të miat është e trajnerit Daja si në pozicionime dhe në vlerësimin ndaj meje. Por siç e thashë më para, kemi një betejë shumë të madhe për të luftuar. Kam pothuajse 17-18 vite karrierë në futbollin shqiptar dhe kurrsesi nuk do ia lejoja vetes të mbyllja karrierën me pengje, do të ishte peng i madh për mua nëse do të largohesha në këto momente.

E tregojnë vetë faktet, arritjet, sukseset dhe ndjehem krenar që kam qenë pjesë e këtij Skënderbeu. Në këto momente është edhe fundi i karrierës dhe nuk mund ta braktisja këtë luftë në fund, pasi them që nëse do të  vdesim në këtë betejë të fundit, të paktën të vdesim me lavdi”, ishin fjalët e Muzakës. /vipsport.al/

.