Mourinjo futet me “sparkatë” në merkato, kërkon dy titullarë të Bajernit

Te Bajerni i Mynihut nis një cikël i ri, jo vetëm sa i takon ardhjes së trajnerit Kovaç, por edhe për grupin e lojtarëve, pasi është parashikuar një ndërrim gjeneratash. Do të jetë sezoni i fundit për Riberi dhe Roben, por jo vetëm. Bavarezët kanë një politikë të qartë, por shpesh nuk arrijnë të ngjiten në nivelin e klubeve të tjera të mëdha të Europës.

Trajneri i Mançester Junajtid, Zhoze Mourinjo, ka vendosur të “sulmojë” pikërisht Bajernin për të forcuar skuadrën e tij. Ai kërkon dy nga titullarët më të rëndësishëm të gjermanëve, sulmuesin Robert Levandovski dhe mesfushorin Tiago Alkantara. Polaku e ka bërë të ditur qartë se kërkon një sfidë të re, ndërsa për spanjollin është vullneti i të dyja palëve, lojtarit dhe klubit, për t’i thënë lamtumirë njëri-tjetrit.

Alkantara kërkon të kthehet te Barcelona, por oferta e Mançesterit mund t’ia ndryshojë mendjen. Mourinjo, deri tani në heshtje, po tregon se dëshiron një ekip shumë më të fortë dhe synon të marrë dy lojtarët me përvojë të Bajernit. Nuk ka mundur të marrë Ronaldon, Bejlin, Aldervild dhe Milinkoviç-Saviç, por tashmë po bën gjithçka për të marrë dy yjet e bavarezëve, që do të fuqizonin ndjeshëm sulmin dhe mesfushën e Mançester Junajtid.  / Vipsport.al