“Misioni u krye me sukses”, jep dorëheqjen trajneri që bëri histori për dy vjet

Me përfundimin e Kupës së Botës që u mbajt në Rusi, skuadrat kanë nisur të mendojnë për turnetë e ardhshëm, ku skuadrat europiane, do të nisin në shtator Ligën e Kombeve. Një ndër skuadrat më simpatike të viteve të fundit në Europë, padyshim që është Islanda e cila na befasoi si në Europianin 2016, ashtu edhe me pjesëmarrjen në Kupën e Botës.

Për herë të parë në histori, Islanda arriti të kualifikohej për në Euro 2016, ku aty padyshim që ishte skuadra e cila surprizoi çdo tifoz. Me shumë punë dhe sakrificë, Islanda tregoi se në futboll nuk mjaftojnë vetëm milionat, por edhe shpirti dhe dëshira për të fituar. Me trajnerin Heimir Hallgrimson, Islanda arriti deri në çerekfinalet e Europianit dhe pikërisht me këtë trajner, Islanda arriti të kualifikohet për në Botëror, aty ku i mori edhe një pikë Argjentinës.

Pas 7 vitesh punë në krye të Islandës, sot trajneri historik Hallgrimson ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i skuadrës, duke i befasuar jo pak tifozët, të cilët kishin krijuar besim të madh te trajneri dhe natyrisht do të donin të vazhdonin me të, duke ditur se ky njeri, arriti të realizonte ëndrrën e të gjithë popullit islandez.

Lajmi për largimin e tij, u bë i ditur nga vetë faqja zyrtare e Federatës Islandeze të Futbollit, e cila falënderon njëkohësisht trajnerin Hallgrimson për gjithçka që ai arriti të bënte me Islandën. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/