Milani fiton miqësoren e parë, gati ndeshjet me Barcelonën e Mançesterin

Vendimi i KAS-it për të lejuar Milanin që të luajë në Kupat e Europës, duket se iu ka dhënë shumë zemër kuqezinjve të cilët kanë fituar sot në miqësore ndaj Novarës, me rezultatin 2-0. Golat për skuadrën e Gatuzos janë shënuar nga Suzo e Kalabria, duke i dhënë në këtë mënyrë, fitoren e parë Milanit në këtë fazë përgatitore.

Në fakt, kjo miqësore ka qenë më shumë një test për Gatuzon, pasi miqësoret e vërteta do të nisin duke filluar nga java tjetër. Në datën 25 korrik, Milani do të përballet me Mançester Junajtidin në Los Anxhelos, ndërkohë që 6 ditë më vonë, në Minesota Milani do të luajë ndaj Totenhemit.

Një ndeshje spektakolare pritet të bëhet në Santa Klara, ku Milani do të provojë forcën përballë Barcelonës. Këto ndeshje, bëhen në kuadër të turneut amerikan, “International Champions Cup 2018”. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/