Mavraj si Konte e Sampaoli, zbulohet shifra që Hamburgu i pagoi për ta larguar

Mërgim Mavraj nuk është larguar “falas” nga Hamburgu duke mbyllur para kohe kontratën e tij me klubin gjerman. Mbrojtësi shqiptar nuk dëshironte të largohej pa u paguar nga klubi me të cilin kishte marrëveshje edhe për një tjetër vit, pasi vështirë se do të gjente një rrogë prej 1 milion eurosh si ajo që përfitonte prej këtij klubi dhe që e kishte të garantuar deri në fund të edicionit.

Gjermanët fillimisht menduan se duke i dhënë mundësinë Mavrajt të transferohej falas, ai do të pranonte një ofertë të re dhe do të shkëputej nga Hamburgu. Por mbrojtësi insistoi nëpërmjet përfaqësuesve të tij se nuk do të mund të siguronte një rrogë kaq të mirë në cilindo klub tjetër që të shkonte dhe si rrjedhojë, dëshironte të paguhej që të largohej.

Një gjë të ngjashme kohët e fundit e kanë bërë edhe emra të njohur të futbollit botëror, mes të cilëve Antonio Konte me Çelsin dhe Horge Sampaoli me Federatën e Argjentinës. Pas shumë ditësh negociata, më në fund Hamburgu lajmëroi dje futbollistin se ishte gati të paguante. Sigurisht, nuk bëhej fjalë për një çek me miliona euro, siç morën dy trajnerët.

Sipas informacioneve nga Gjermania, Mavraj ka përfituar një shumë prej 300 mijë eurosh që të ndërpriste kontratën sot me klubin gjerman. Më shumë një hakmarrje e vogël e futbollistit për trajtimin që i ishte bërë, sesa dëshira konkrete për të fituar nga largimi i tij.  /vipsport.al/