Mario Manxhukiç do të sakrifikohet nga Juventusi, kroati do të kthehet në Bundesligë

Botërori i Rusisë tregoi një Kroaci shumë interesante dhe të bukur për t’u parë, pavarësisht humbjes 4-2 në finalen me Francën. Kualitetit të lartë të mesfushës këtë herë i janë shtuar edhe kualiteti i mbrojtjes dhe sulmit.

Një nga protagonistët kryesorë të skuadrës së Daliç ishte pa dyshim Mario Manxhukiç. Sulmuesi i Juventusit shënoi tre gola, ndërkohë që ishte pa fat në autogolin e finales së djeshme. Paraqitja e tij shumë e mirë në Botëror ka tërhequr më shumë vëmendjen e klubeve të mëdha, së fundit edhe të Borusias së Dortmundit.

E përditshmja sportive gjermane “Bild” bën me dije se Borusia është e gatshme ta marrë kroatin nga Juventusi me çdo kosto. Juventusi, me ardhjen e Ronaldos, do të ndryshojë në repartin e avancuar dhe i sakrifikuari duket se do të jetë pikërisht Manxhukiç. Për sulmuesin kroat është interesuar shumë edhe Mourinjo, i cili e dëshiron te Mançester Junajtid.

Manxhukiç ka luajtur më parë në Gjermani, me Volfburgun dhe Bajernin e Mynihut, për të kaluar më pas në Spanjë tek Atletiko e Madridit dhe në Itali me Juventusin. Tani duket shumë pranë rikthimit në Bundesligë, me fanellën e Borusias së Dortmundit. / Vipsport.al