Luis Enrike zbërthen Spanjën e tij: Jo revolucion, nuk jam një anti-madridist

“Nuk do të ketë revolucion te Spanja, por vetëm evolucion. Janë disa vendime të rëndësishme për t’u marrë”, – ka thënë në konferencë shtypi gjatë prezantimit trajneri i ri i Spanjës, Luis Enrike.

Ish-trajneri i Barcelonës dhe Romës merr drejtimin e kombëtares iberike pas largimit të Lopeteguit dhe aventurës së shkurtër të Fernando Hierros, që zhgënjeu në Botërorin e Rusisë.

“E shkuara i përket së shkuarës. Fjala ‘dështim’ është shumë e rëndë për atë që ndodhi në Rusi. Rezultatet nuk ishin të mira, por këta lojtarë kanë dhënë gjithçka. Mund të ndryshojë stili i lojës pa prekur lojtarët, e kam bërë edhe me një klub të madh si Barcelona. Janë disa gjëra që duhen përmirësuar faktikisht.

Pike? Ka treguar gjithmonë vlerat e tij me Spanjën. Do të flas me të, por duhet të respektojmë vullnetin e çdo lojtari. Nuk jam një anti-madridist. E di farë do të thotë të stërvitësh në nivele të larta. Jam krenar që përfaqësoj futbollin spanjoll”, – ka thënë më tej trajneri Luis Enrike. / Vipsport.al