Liverpul zyrtarizon Alison dhe transferimin rekord, Roma mbush arkën e klubit

Alison Beker është zyrtarisht një portier i Liverpulit dhe që nga dita e sotme, portieri më i shtrenjtë në historinë e futbollit botëror. Braziliani u transferua nga Roma drejt skuadrës së kuqe pasi përfundoi me sukses vizitat mjekësore duke u vënë nën urdhrat e Jurgen Klop.

Klubi i Romës ka bërë të ditur detajet e transferimit dhe duke lexuar shifrat, është e qartë se për italianët ishte e vështirë të refuzonin një ofertë të tillë.

“Lojtari kalon te klubi anglez kundrejt pagesës së 62,5 milionë eurove dhe të një pagesë variabël që shkon deri në maksimumi 10 milionë euro, për bonuse të ndryshme që lidhen me arritjen e objektivave sportive të klubit apo lojtarit”, shpjegoi klubi i Romës duke treguar kësisoj se portieri mund të sillte në arkat e italianëve 72,5 milionë euro, një shifër e pamenduar më parë për lojtarë të këtij pozicioni. /vipsport.al/