Liga e Kampioneve / Drithërima për Shkëndijën, turpërohet por kualifikohet në Uells

Liga e Kampioneve është një turne ku po nuk je i vëmendshëm, mund të eliminohesh edhe atëherë kur mendon se ke siguruar kualifikimin. Këtë leksion të mirë e ka mësuar sot Shkëndija e Tetovës e cila ka rrezikuar një eliminim të bujshëm përballë uellsianëve të TNS të cilët e kanë mundur me shifrat 4-0.

Trajneri Qatip Osmani kishte vendosur që të linte në stol emra si Ibraimi, Radeski apo Totre pas fitores 5-0 në sfidën e parë në Maqedoni. Por ky nënvlerësim mund t’i kushtonte shumë shtrenjtë ekipit të tij i cili pësoi gola të njëpasnjëshëm pa mundur të reagonte, duke e parë veten në disavantazhin 3-0 në pushimin e ndeshjes, pasi Ebe, Redmond dhe Kabango kishin mposhtur Zahov.

Në fillimin e pjesës së dytë, Osmani uli në stol Shefitin e Todorvoskin, për të aktivizuar Ibrahimin e Radeskin dhe ngjallur disi ekipin që tashmë i ruhej shumë golave të tjerë që mund të rihapnin në mënyrë të papritur një kualifikim që e kishin menduar të sigurt. Fatmirësisht për kuqezinjtë, vendasit shënuan golin e katërt me Byrn kur shënohej minuta e 96 e sfidës, shumë vonë për të rrezikuar shtesat.

Kësisoj, Shkëndija kalon turin mes drithërimash dhe me një leksion të mirë për të ardhmen, ndërsa nesër do të mësojë se kush do të jetë kundërshtari i turit të ardhshëm mes Torpedo Kutaisi dhe Sherif Tiraspol. /vipsport.al/