Laçi ka një njoftim për biletat dhe tifozët: Çdo gabim rëndon në kurrizin tonë

Laçi do të luajë të enjten ndeshjen e kthimit përballë Anorthosis në kuadër të turit të parë eliminator në Ligën e Europës. Takimi i parë është mbyllur me fitoren e qipriotëve me rezultatin 2-1, ndërkohë që në Laç, do të synohet përmbysja historike.

Duke ditur rëndësinë e këtij takimi, klubi kurbinas ka bërë një njoftim për tifozët, duke kërkuar që të mbështesin skuadrën e tyre por të evitojnë trazirat dhe problemet që mund të dëmtojnë Laçin dhe mbarëvajtjen e takimit.

“Tifozë të Laçit e dashamirës të futbollit: Ju ftojmë ditën e enjte më dt. 19 korrik në orën 17:00 të mbështetim ekipin tonë në stadium.

Të gjithë së bashku, me ndihmën tuaj si lojtari i 12-të, mund t’ia dalim! Jeni të lutur, para se të futeni në stadium do të ketë kontroll fizik, s’duhet të keni me vete çakmakë e mjete piroteknike . Çdo problem më i vogël i shkaktuar nga shkallët e stadiumit është në kurrizin e ekipit tonë!

Çmimet e biletave do të jenë:

1000 Lekë (Tribuna kryesore)

300 Lekë (Tribuna karshi & mbrapa porte)

Biletat do të shiten pranë stadiumit”, shkruhej në njoftimin e klubit bardhezi. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/