“Kristiano Ronaldon mund ta marr me shkelma në ndeshje, ma ka dhënë lejen nëna e tij!”

Të përballesh me Kristiano Ronaldon nuk është kurrë e lehtë, ,por nëse dikush e di si bëhet, ai është Bruno Alves, një mik i vjetër i juventinit. Është gjithçka më e lehtë, nëse ke një “armë sekrete”.

Alvesh dhe nëna e tij, Dolores, po i bëjnë një shaka të shkurtër Kristianos. Jorge Mendes e kishte ftuar Bruno Alveshin, aktualisht te Parma, në prezantimin e Kristianos dhe gjatë darkës mbrojtësi portugez i ka bërë një kërkesë të veçantë nënës së shokut të tij, kërkesë që e ka bërë të ditur vetë publikisht.

“Do të jetë bukur të luaj kundër tij këtë sezon, më ka ndodhur te Porto, kur jemi ndeshur me Mançester Junajtid. Gjatë darkës i kërkova nënës së tij lejen për t’i dhënë ndonjë shkelm Kristianos gjatë lojës. Ajo ma ka dhënë lejen dhe tani jam në rregull. Pas ndeshjes, miq si më parë’, – ka thënë Alvesh.

Kështu, Kristiano duhet të ketë kujdes gjatë ndeshjeve me Parmën, nëse kjo e fundit do të jetë në Serinë A. “I kam shpjeguar disa gjëra Kristianos. Ajo që mund të them është se ai është një fitues i lindur, është shumë i motivuar dhe do ta ndihmojë Juventusin”, – ka përfunduar Alvesh. / Vipsport.al