Kasijas kritikon VAR-in që dëmtoi Kroacinë, Luis Suarez: Ke të drejtë

Nuk kanë qenë vetëm tifozët ata që kanë kritikuar gjykimin e sotëm të finales së Botërorit nga kryesori argjentinas Pitana. Shumë lojtarë e ish-lojtarë kanë kritikuar hapur gjyqtarin për mënyrën se si ka interpretuar episodet dhe përdorur teknologjinë në këtë ndeshje me episodet shkonin vetëm kundër Kroacisë.

Mes tyre ishte edhe Iker Kasijas, i cili ka komentuar golin e parë të shënuar nga francezët, atë ku Manxhukiç dërgoi topin në rrjetën e portës së vet.

“Sinqerisht, nuk e kuptoj shumë mirë përdorimin e VAR. Gjyqtari sinjalizon një goditje dënimi që nuk ekzistonte në favor të Grizman. Gol i Francës në këtë aksion. Por nuk ndodh asgjë”, shkroi ai në Twitter, duke sugjeruara se mos ndoshta duhej që në rastin më të keq, kur faulle të tilla të kishin këtë lloj përfundimi, VAR të ndërhynte.

Luis Suarez iu bashkua menjëherë duke komentuar këtë episod të sfidës nëpërmjet një tjetër postimi. “Ke të drejtë Iker Kasijas dhe përveç kësaj, është Pogba në pozicion jashtë loje që merr pjesë në aksion”, ishte shpjegimi i sulmuesit i cili e di mirë sa të rëndësishme janë detaje të tilla. Uruguaianit me sa duket nuk i ka kaluar ende inati që Franca e eliminoi përfaqësuesen e tij dhe nuk e lejoi atë të bënte asnjë gjuajtje në portë gjatë ndeshjes. /vipsport.al/