Kaloi turin, tani Laçi vihet përballë njeriut që shkroi historinë në Champions

Ekipi norvegjez Molde do të jetë kundërshtari i ardhshëm i Laçit në Ligën e Europës, në turin e dytë të këtij turneu. Skuadra norvegjeze ka mundur sot me shifrat 5-1 ekipin e Glenavon nga Irlanda e Veriut, duke prerë biletën për në turin tjetër që do e luajë përballë kurbinasve.

Glenavon në fakt kishte bërë surprizën duke fituar 2-1 në ndeshjen e parë, por në takimin e kthimit, ekipi norvegjez ka bërë menjëherë të qartë se sa kërkonte kualifikimin dhe se sa diferencë kishte mes skuadrave. Husain, Hestad me 3 gola dhe pastaj Sarr u bënë protagonistë të fitores së sotme, ndërsa edhe goli i vetëm i ekipit kundërshtar në fakt ishte një autogol i Forren.

Molde aktualisht mban vendin e  tretë në kampionatin norvegjez, ku janë luajtur 16 javë dhe problemi kryesor i kurbinasve do të jetë se ata janë në mes të aktivitetit të tyre. Ndërkohë, duhet theksuar se ekipi norvegjez drejtohet nga një figurë shumë e njohur e futbollit botëror, Ole Gunar Solskjaer. Ish-sulmuesi norvegjez ishte ai që shënoi golin e përmbysjes dhe fitores historike 2-1 të Mançester Junajtid ndaj Bajern Mynih në finalen e Ligës së Kampioneve në vitin 1999.

Sipas shortit të hedhur nga UEFA, ndeshja e parë do të luhet javën e ardhshme, më 26 korrik në Norvegji, ndërsa takimi i kthimit do të luhet në Shqipëri më 2 gusht, në “Loro Boriçi” apo “Elbasan Arena”, pasi stadiumi i Laçit është i licencuar vetëm për turin e parë. /vipsport.al/