Kualifikimi në Europë, në arkat e Laçit përfundojnë 500 mijë euro

Klubi i Laçit ka arritur sot një kualifikim shumë të rëndësishëm në Ligën e Europës si për imazhin e kësaj skuadre, ashtu edhe për përfitimet financiare që ka siguruar me vazhdimësinë në pjesëmarrjen në këtë turne ndërkombëtar.

Për pjesëmarrjen në turin e parë, kurbinasit përfituan 240 mijë euro si shpërblim nga UEFA, ndërsa tani, me kalimin në turin e dytë, ën arkat e tyre përfundojnë edhe 260 mijë euro të tjera, duke çuar në 500 mijë euro totalin deri tani të fitimeve të klubit të Laçit.

Duke llogaritur shpenzimet minimale që bën skuadra e cila ka një buxhet shumë herë më të vogël se ekipet e tjera të Superiores, kjo është një ndihmë e madhe për vazhdimësinë e saj në edicionin e ardhshëm.

Sigurisht, gjithçka është plotësisht e merituar nga një klub i cili u beson të rinjve apo futbollistëve të cilët shpeshherë nuk gjejnë hapësira në klube të tjera, duke treguar se mund të bëhet futboll e të arrihen rezultate edhe pa shpenzuar miliona euro apo pa ndërruar 30 lojtarë në vit. /vipsport.al/