Gegës i mjafton loja e mirë: I kënaqur nëse luajmë si në ndeshjen e parë

Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, mendon se nuk ka rëndësi rezultati dhe kualifikimi, pasi atij i mjafton që të kuqtë të luajnë mirë. Në konferencën e fundit për shtyp para ndeshjes, trajneri theksoi se ajo paraqitje e pjesës së parë në ndeshjen në Tiranë, ishte shembulli për t’u ndjekur.

“Kjo është një ndeshje e rëndësishme për ne. Për mua në Tiranë kemi luajtur një ndeshje pozitive kemi patur shanset tona dhe theksoj se jemi përgatitur për të bërë më të mirën. Të jem i sinqertë, presioni është mbi Mariborin dhe jo mbi ne por ky është futboll dhe çdo gjë mund të ndodhë. Do isha i kënaqur nëse djemtë do luajnë siç interpretuan pjesën e parë në ndeshjen në Tiranë dhe do të luftojmë deri në fund dhe do të pranojmë verdiktin e fushës në vërshëllimën e fundit.

Besoj se tashmë Maribor e ka një ide sesi luan Partizani por gjithsesi çdo ekip ka rezervat e veta. Ne jemi përgatitur e dimë që do jemi nën presion pasi Maribor luan në shtëpi dhe ka mbështetjen e tifozerisë dhe do jetë ndihmë e madhe për ta. Por ne jemi përgatitur për të dyja fushat dhe nesër do të jetë një ndeshje e mirë dhe siç e theksova do të përpiqemi deri në fund për të marrë rezultat.

Si mudn të shënojmë? Si na shënoi Maribor në Tiranë. Ne kishim shanset tona në takimin e parë, ju e patë ndeshjen. S’ mund të gjykoj njeri por për mua episodi i Asanit ishte një gabim i arbitrit pasi e pashë ndeshjen me qetësi më pas. Ishte një 11 metërsh i pastër i cili ishte një mundësi shumë e mirë për ne për të shënuar. Shpresoj të kemi të njëjtin shans por jo të njëjtin gabim nga arbitri.

Mbase nuk është momenti i duhur për të luajtur ndeshjet e Europës sepse sapo ka mbaruar kampionati botëror, por ne kemi shumë mbështetës të cilët e dashurojnë bluzën e këtij klubi. Kemi tifozë të mrekullueshëm ata kanë një dashuri të jashtëzakonshme për klubin dhe skuadrën dhe shpresoj që nesër ti bëjmë të lumtur dhe krenarë”, tha tekniku i të kuqve. /vipsport.al/