FOTO/ Strakosha prezantohet me fanellën e re: Duam Ligën e Kampionëve për tifozët

Thomas Strakosha duket se ka vendosur vetë për të ardhmen e tij dhe nuk i ka marrë në konsideratë aspak ofertat e shumta që kanë ardhur drejt tij nga disa prej klubeve më elitare në Europë.

Ai është përzgjedhur nga drejtuesit e Lacios për të prezantuar fanellat e reja të skuadrës për sezonin 2018-19 dhe me këtë rast, Strakosha ka dhënë edhe një prononcim për mediat, duke e qartësuar të ardhmen e tij.

“Jemi të lumtur që po nisim sërish nga puna dhe po rikthehemi në fushë. Sezoni i kaluar ishte pozitiv dhe ne duhet të fillojmë nga aty ku e lamë, në mënyrë që ky sezon të jetë edhe më i mirë. Jemi të ndërgjegjshëm për gabimet që kemi bërë gjatë sezonit të fundit dhe duhet t’i përmirësojmë në fushë, pasi jemi një ekip me vlera.

Mund të kishim pasur një verë më të mirë nëse do të fitonim ndeshjen e fundit të sezonit ndaj Interit, por e vetmja gjë që do të bëjmë, është të mendojmë për të ardhmen. Ka pasur shumë interesime nga skuadrat e ndryshme për mua, por te Lacio ndihem mjaft mirë. Jam si në shtëpinë time, pasi ata më kanë respektuar dhe mbrojtur gjithmonë.

Botërori? Finalja do të jetë një ndeshje me nivel të lartë kam përshtypjen, duke ditur se Kroacia ka një skuadër me lojtarë cilësorë dhe duhet të provojë se është një ekip me nivel të lartë dhe se finalen e kanë merituar. Gabimet e portierëve do t’i konsideroja normale pasi çdo futbollist gabon, por kur gabon portieri, atëherë komentohen më shumë.

Objektivat? Ne kemi të njëjtin qëllim si në sezonet e tjera. Do të nisim sezonin duke luftuar për të realizuar ëndrrën e tifozëve për të parë Lacion në Ligën e Kampionëve. Sa i përket fanellave të reja, janë vërtetë të bukura”, u shpreh Strakosha. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/