FOTO / Largime dhe mungesa e Europës, Skënderbeu “humb” 3,3 milionë euro

Klubi i Skënderbeut ka humbur 3,3 milionë euro vlerë futbollistësh vetëm që nga marsi 2018 e deri tani. Bëhet fjalë për vlerësimin që ka skuadra kampione e Shqipërisë në portalin e njohur “transfermarkt” i cili përllogaritu vlerat e futbollistëve.

Falë largimeve të shumta të lojtarëve si Lilaj, Gavazaj, Xhejms apo Soue, apo edhe zhvlerësimit të vlerave të disa futbollistëve si pasojë e mungesës së pjesëmarrjes në aktivitetet europiane. Vlera e përgjithshme e Skënderbeut ka kaluar nga 8,3 milionë euro që ishte në marsin e vitit 2018, në 4,93 milionë euro aktualisht, me grupin e futbollistëve që ka në përbërje.

Një rënie e ndjeshme kjo e vlerës së korçarëve të cilët nga dominues absolut të tregut në Shqipëri prej disa vitesh, tani përllogariten nga “transfermarkt” si klubi i pestë i Superiores. Vendin e parë tani e mban Kukësi, me 6,3 milionë euro, i ndjekur nga Laçi, Partizani dhe më pas Luftëtari që pozicionohet para korçarëve.

Megjithatë, duke llogaritur se merkato në futbollin shqiptar nuk ka marrë ende fund dhe pritet të ketë shumë lëvizje të tjera në javët në vijim deri në fillimin e kampionatit, nuk është çudi që këto vlera të ndryshojnë përsëri në mënyrë të ndjeshme. /vipsport.al/