FOTO/ Eliminim dhe përjashtim, tifozët e Levskit i bëjnë “gjëmën” skuadrës

Dje pritej që skuadra bullgare, Levski të kualifikohej për në turin e dytë të Ligës së Europës, por në fakt gjithçka ka shkuar në mënyrën më të keqe të mundshme.

Fitorja 3-2 përballë modestëve të Vaduzit, ka eliminuar skuadrën bullgare, duke sjellë në këtë mënyrë një irritim të madh te tifozët. Takimi i parë, i luajtur në Lihtenshtein, u mbyll me fitoren e Vaduzit 1-0, ndërkohë që dy golat në fushë kundërshtare, kanë qenë “vrasësit” e Levskit.

Pas vërshëllimës së gjyqtarit, tifozët vendës kanë thyer stolat dhe i kanë hedhur në drejtim të fushës, ku shumë prej tyre kanë rënë edhe drejt futbollistëve të Vaduzit, gjë e cila do të dënohet nga UEFA.

Delegatët e UEFA-s kanë shënuar gjithçka që ka ndodhur në proces-verbal dhe tashmë priten sanksione të rënda për bullgarët. Frika më e madhe e drejtuesve, është ndonjë përjashtim i mundshëm për disa vite nga çdo kompeticion europian, gjë e cila do të sillte humbje të mëdha financiare për klubin. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/