FOTO / Botëror me surpriza? Gaboheni, Hazard kishte parashikuar thuajse gjithçka

Rusi 2018 komentohet gjerësisht si një Botëror me shumë surpriza, po të marrësh parasysh se asnjë mes atyre që cilësoheshin si pretendentët kryesorë në këtë aktivitet si Brazili, Gjermania, Spanja e Argjentina nuk kanë kaluar as në katërshen finale për të diskutuar trofeun. Por për Eden Hazard, duket se nuk kishte dyshime se turneu do të kishte rezultate të tilla.

Dy ditë para fillimit të aktivitetit, futbollisti i Belgjikës ka bërë parashikimet e tij për ecurinë e aktivitetit dhe në mënyrë të pabesueshme ka gjetur 3 në 4 gjysmëfinalistet e turneut. Për më tepër, ai ka parashikuar me saktësi edhe si do të shkonin aty, si për shembull fitoren e Uruguait ndaj Portugalisë e më pas humbje me Francën të latino-amerikanëve.

Kështu ishte edhe suksesi i Brazilit ndaj Meksikës e më pas humbja e “Seleçao” përballë Belgjikës së tij, duke parashikuar një gjysmëfinale mes belgëve dhe francezëve, ashtu siç do të jetë në të vërtetë në këtë mesjavë.

Ai ka bërë llogaritë paksa gabim në anën tjetër të skemës, por si përfundim, gjeti saktësisht Anglinë duke shkuar në gjysmëfinale, për t’u përballur atje me Argjentinën duke kaluar në finalen e madhe ku sigurisht do ta priste Belgjika me të cilin ishte ndeshur edhe në grupe.

Gjithçka gjendet e postuar që më datë 12 qershor në Instagramin e futbollistit, i cili është një ndër shtyllat kryesore të Belgjikës dhe ka ndihmuar me lojën e tij ekipin të shkojë drejt katërshes finale. Tani mbetet të shihet nëse parashikimi i tij do të jetë i saktë deri në fund, ku sigurisht ai sheh Belgjikën kampione. /vipsport.al/