Dzaria flet për Valetën dhe analizon Karabakun: Më shumë se goli, më gëzon kualifikimi

Kukësi arriti të merrte një kualifikim historik ndaj Valetës në transfertë, duke barazuar me rezultatin 1-1. Goli i kualifikimit për verilindorët, erdhi nga mesfushori gjeorgjian, Irakli Dzaria.

Në një prononcim për “Supersport”, Dzaria është shpehur se ajo ishte një ndër ndeshjet më të vështira dhe golin e tij e konsideron si ndër më të rëndësishmit në karrierë. Ai ndalet edhe te Karabaku, kundërshtari i Kukësit në turin e dytë, duke u shprehur se gjithçka është e mundur.

“Goli? Jam vërtet i lumtur që shënova një gol shumë të rëndësishëm kundër Valeta-s. Ky është një gol shumë i rëndësishëm në karrierën time, por jam i lumtur mbi të gjitha që skuadra e fitoi këtë ndeshje dhe ne shkojmë në raundin e dytë.

Skuadra? Ishte një ndeshje shumë e vështirë, pasi Valleta është një skuadër shumë e fortë. Pas golit të tyre ne bëmë gjithçka që të shënonim një gol dhe ia dolëm. Unë besoj te kjo skuadër, te këto lojtarë dhe ne bëmë gjithçka për të shkuar në raundin e dytë.

Kundërshtari i radhës? Karabaku është një skuadër shumë e mirë, pasi një vit më parë ishin në grupet e Championsit. Ata kanë lojtarë shumë të fortë, kanë futbollistë që luajnë me kombëtaret respektive, por ne duhet të luftojmë dhe gjithçka është e mundur”, tha mes të tjerash Dzaria. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/