Bregu i jep lamtumirën Luftëtarit dhe tregon planin: Ja kur prezantohem te Skënderbeu

Një ndër lojtarët që ka spikatur më shumë gjatë viteve të fundit në Kategorinë Superiore, ka qenë Dejvi Bregu i cili sezonin e fundit ka bërë një paraqitje fantastike me Luftëtarin, duke bërë që drejtuesit e Skënderbeut të sigurojnë kartonin e tij që në janar.

Megjithëse Skënderbeu është dënuar nga UEFA për të mos luajtur në Europë, Bregu ka vendosur që të prezantohet me bardhekuqtë, duke e cilësuar këtë një eksperiencë të re, të cilën mezi pret që ta fillojë. Në një prononcim për “Supersport”, ai ka folur edhe për lënien jashtë nga trajneri Kostiç në ndeshjen e fundit.

“Lënia jashtë nga trajneri i Luftëtarit për ndeshjen me Ventspils? Nuk është e vërtetë se kam bërë fjalë me trajnerin, por nuk kam luajtur, pasi trajneri ka menduar të shikojë lojtarë të tjerë. Kualifikimi ishte vendosur që në Letoni, ku humbëm thellë dhe sot ishte dita ime e fundit te Luftëtari, ndaj është normale që trajneri të shikojë futbollistët e tjerë në fushë.

E ardhmja? Të hënën do të udhëtoj në Korçë, ku besoj se do të bëhet edhe prezantimi zyrtar. Jam shumë i emocionuar dhe mezi pres të filloj këtë eksperiencë të re. Përtej problemeve të kohëve të fundit, Skënderbeu është një skuadër e madhe, me emra gjithashtu të rëndësishëm dhe kam besim se edhe këtë sezon do të luftojmë për titullin kampion”, u shpreh Bregu. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/