Botërori në “VIP Sport”/ Parashikimi i Eridës për finalen e madhe

Kupa e Botës “Rusi2018” do të ulë sot siparin ku në orën 17:00, n Moskë do të luhet finalja madhe mes Francës dhe Kroacisë. Ky Botëror, ka qenë i mbushur me surpriza si në rezultatet e ndeshjeve, ashtu edhe jashtë fushave të blerta dhe jo më kot është konsideruar si Botërori i çudirave.

Ashtu siç ka parashikuar për 1 muaj, edhe sot ekspertja jonë simpatike ka parashikuar skuadrën që do të fitojë Kupën e Botës. Erida Bajrakurtaj ka arritur të jetë e saktë në rreth 80% të parashikimeve të saj .

Finalja Francë-Kroaci
“Besoj dhe shpresoj që Kroacia të jetë kampione e Botës. Mendoj se kroatët kanë reaguar në çdo ndeshje që në finale nuk kanë arritur rastësisht dhe me plot bindje them se e ka merituar më shumë se Franca këtë finale. Nuk është e lehtë që të arrish finalen pas 3 ndeshjesh nga 120 minuta duke triumfuar në fund, pavarësisht kundërshtarit që ke përballë.

Kroacia ka treguar se ka një grup futbollistësh të cilët janë të gatshëm të lënë shpirtin në fushë, ndërsa vetë trajneri kroat Daliç, është ai i cili di si të motivojë futbollistët dhe të largojë presionin nga ata. Franca ka lojtarë me kualitet dhe normalisht që në fushë dinë si të sillen e dinë të vënë në vështirësi çdo kundërshtar por unë jam e mendimit se shpirti luftarak dhe dëshira e madhe e kroatëve, do të triumfojnë në këtë finale”.

Lojtari i ndeshjes
“Siç e thashë edhe më lart, Kroacia ka një grup të mirë dhe të bashkuar të cilët luajnë sikur të jenë një lojtar i vetëm. Mendoj se ndeshje të tilla i zgjidhin lojtarët me më shumë eksperiencë dhe Modriç është njëri prej tyre. Si në kampionat me Realin, ashtu edhe në Rusi me Kroacinë, ai ka treguar këtë vit se është padyshim pretendenti kryesor për të fituar “Topin e Artë””. /Erjon Allaraj-Vipsport.al/