Botërori në “VIP Sport”/ Parashikimet e Eridës për Kroaci-Angli

Kur ka mbetur edhe pak nga ulja e siparit të Kupës së Botës “Rusi 2018”, emocionet sa vijnë e shtohen duke qenë se sot do të mësohet skuadra e dytë finaliste që do t’i bashkohet Francës në finalen e madhe të 15 korrikut.

Kroacia dhe Anglia do të provojnë forcën e tyre dhe ky takim parashikohet si një duel i fortë dhe i luftuar nga ekspertja jonë simpatike, Erida Bajrakurtaj.

Ndeshja?
“Ashtu si mbrëmë, edhe sonte do të jetë një gjysmëfinale e fortë dhe e luftuar në çdo moment. Si Kroacia, ashtu edhe Anglia kanë treguar në këtë Botëror se janë skuadra që dinë të bëjnë mjaft mirë dhe dinë ta përballojnë presionin e fakti që sot luajnë në gjysmëfinale, nuk është rastësi.

Dëshira ime, është që të fitojë Kroacia, por skuadra që shoh në finale është Anglia. Them se kualifikohet Anglia duke qenë se ka një grup më kompakt dhe ekipi është më i kompletuar se i Kroacisë, plus duhet përmendur fakti që kroatët vijnë pas 2 ndeshjeve të cilat kanë përfunduar pas 120 minutave lojë dhe mendoj se lodhja do të ketë efektin e saj”.

Lojtari që bën diferencën?
“Një ndër lojtarët që mund të bëjnë diferencën në këtë takim, është Luka Modriç. Ai ka treguar në çdo ndeshje një shpirt të madh gare dhe në asnjë moment nuk është dorëzuar, duke udhëhequr skuadrën e tij drejt gjysmëfinales.

Nga ana tjetër, Anglia ka më shumë alternativa dhe loja e saj nuk varet nga një apo dy futbollistë. Kjo bën që Anglia të ketë m shumë shans për të kaluar në finalen e madhe”. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/