Botërori në Vip Sport / Parashikimet e Eridës për gjysmëfinalen e parë

Afron faza me vendimtare e Botërorit, kur ne do të mësojmë një nga një emrat e finalistëve të këtij aktiviteti që ka mbajtur të gjithë mbërthyer para ekraneve në muajin e fundit. Sot nisin ndeshjet gjysmëfinale me sfidën mes Francës dhe Belgjikës, për të cilën ekspertja jonë, Erida Bajrakurtaj, mendon se do të jetë një përplasje mes dy skuadrash shumë cilësore.

“Janë dy ekipe shumë të forta, me lojtarë shumë cilësorë që me meritë kanë mbërritur deri në këtu në turne. Kanë dhuruar lojë dhe spektakël dhe besoj se do të jetë një ndeshje shumë e bukur që do të kënaqë tifozët pasi ekipet luajnë lojë të hapur dhe jo në mbrojtje. E thashë që do të jetë një ndeshje e luftuar, por në fund mendoj se do të shohim Belgjikën të kalojë në finale, pasi ka një lojë me bindëse se Franca deri tani”, thotë ekspertja jonë simpatike.

Por cili do të jetë lojtari që do të bëjë diferencën në këtë sfidë? Bajrakurtaj nuk ka dyshime. “Mendoj se është Eden Hazard ai që do të bëjë diferencën mes dy skuadrave, një superlojtar. Në fazën sulmuese padyshim që do të arrijë të bëjë shumë për të ndihmuar ekipin e tij”, tregoi ajo. /vipsport.al/