Benitez rrëfen prapaskenën: Më ofruan drejtimin e Spanjës para Botërorit

I konsideruar me të drejtë si “Botërori i çudirave”, Kupa e Botës që u mbajt në Rusi uli siparin me triumfin e Francës, ku në finale kishte përballë Kroacinë. Në fakt, çudirat e këtij Botërori, kanë nisur para se të niste vetë kompeticioni.

Vetëm 2 ditë para fillimit, trajneri i Spanjës asokohe, Lopetegui u emërua si trajner i Real Madridit dhe vetëm 24 orë para se turneu të niste zyrtarisht, Federata Spanjolle e Futbollit e shkarkoi Lopeteguin duke emëruar Hierron në krye të stolit.

Në fakt, Hierro ka qenë vetëm zgjedhja e dytë e spanjollëve, duke qenë se i është kërkuar teknikut Rafa Benitez për të drejtuar “furinë e kuqe”, por ky i fundit e ka refuzuar, të paktën kështu thotë Benitezi.

“Drejtimi i Spanjës? Është e vërtetë që ishte një mundësi por unë jam këtu dhe jam i lumtur që jam trajner i Njukasëllit. Dua të vazhdoj këtu dhe ta çoj deri në fund atë që kam nisur me këtë klub, gjëra të tjera kanë kohë”, u shpreh Benitez. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/