Batha: Ja detajet nga kontrata me Larisën, mbetem tifoz i Partizanit

Ish-kapiteni i Partizanit, Idriz Batha i ka dhënë fund aventurës me kryeqytetasit dhe destinacioni i tij i ardhshëm duket se është kampionati grek, aty ku pritet që të firmos një kontratë me AEL Larisën.

Në një prononcim për “Supersport”, Batha ka folur në lidhje me këtë transferim, duke u shprehur se pret të kryejë vizitat mjekësore dhe më pas do të firmosë. Sa i përket kontratës, ai ka zbardhu disa detaje, ndërkohë që në të ka edhe një pikë të veçantë.

“Kalimi te Larisa? Akoma nuk është mbyllur çdo gjë pasi pas 2-3 ditësh kam vizitat mjekësore dhe pastaj do prezantohem. Kam pasur dëshirë që të provoja veten jashtë vendit dhe shpresoj ti bëj krenar dhe ti përfaqësoj shqiptarët denjësisht.

Isha unë ai që mendova për t’u larguar, duke qenë se më përfundoi kontrata. Me aq sa di unë, kam pasur oferta edhe në kohën kur kisha kontratë me klubin. Jam 26 vjeç dhe mendoj se jam në moshën ideale për të luajtur futboll si jashtë vendit edhe ën nivele më të larta.

Kam besim te vetja. Larisa nuk është stacioni im i fundit pasi duke njohur veten them, se do të arrij më lart. Në kontratë kam një pikë që nëse kam ofertë nga një klub më i mirë nuk do të ketë vështirësi për të zgjidhur marrëveshjen.

Nuk ishte primare për mua ana financiare, por doja klubin që është në nivele më të larta dhe në qendër të vëmendjes së menaxherëve. Mund të them se atje përfitoj dyfishin e asaj që merrja te Partizani.

Partizani shprehu dëshirën për të më mbajtur, ashtu siç kisha edhe unë dëshirë për të qëndruar. Partizani do të mbetet gjithmonë në zemrën time. Pengu më i madh për mua është mos fitimi i titullit me Partizanin. Në mos si lojtar, do të jem gjithmonë tifoz i Partizanit”, u shpreh Batha. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/