Basha i jep lamtumirën kampionatit italian: Kam kontratë me një tjetër ekip

Një ndër lojtarët më të dalluar si te Bari ashtu edhe te kombëtarja shqiptare, është Migjen Basha i cili me punën e palodhur, ka arritur të bëhet nj shembull për t’u ndjekur nga shumë lojtarë të rinj.

Ndër vite, Basha ka qenë pjesë e Barit në Itali, por mesa duket, aventurës së mesfushorit në kampionatin italian, i ka ardhur fundi. Ai do të largohet nga gadishulli Apenin këtë merkato, për të firmosur në Greqi, ku në ditët në vijim, pritet të kryejë vizitat mjekësore te skuadra e Aris.

Ka qenë vetë futbollisti shqiptar, ai i cili në një prononcim për mediat është shprehur se ka firmosur një parakontratë me skuadrën e Arisit dhe se së shpejti do të shkojë për të kryer vizitat mjekësore.

“Kam nënshkruar një parakontratë me skuadrën e ngjitur në divizionin e parë, Aris Selanik. Do të shkoj të dielën për të kryer vizitat mjekësore. Nëse gjithçka shkon në rregull, do të bëhet zyrtare.

Aris ka ambicie dhe mund të mbështetet në një super tifozeri. Telefonova disa ish-shokë skuadre grekë dhe lojtarë shqiptarë që luajnë në Greqi. Kam pasur përshtypje pozitive për këtë klub”, tha mes të tjerash mesfushori shqiptar. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/