Ançeloti ka një koncept tjetër për mbrojtësit e krahut, Hysaj duhet të bëhet “sulmues”

Kanë mjaftuar 10 ditë, që trajneri Karlo Ançeloti të ndryshojë Napolin, duke implementuar skemat dhe idetë e tij për lojën e skuadrës. Si një psikolog dhe administrator i zoti, përveçse trajner i aftë, ai po përpiqet të bëjë gjithçka me kujdes.

Ançeloti kërkon që Napoli të luajë me skemën 4-3-2-1, ose ndryshe skema e “bredhit”. Ndryshimi i parë është se trajneri italian synon që mbrojtësit e krahëve të shtyjnë sa më shumë përpara dhe të ndihmojnë sulmin. Sarri kërkonte që mbrojtësit të mbyllnin çdo hapësirë, përfshirë edhe ata të krahut, por tani Hysaj duhet të bëhet “sulmues”.

Nëse nuk e bën këtë, mbrojtësi kuqezi mund të rrezikojë stolin. Kur portieri nis lojën me mbrojtësit e qendrës, dy mbrojtësit e krahëve duhet të jetë përpara, gati si mesfushorë. Jo pa qëllim, si alternativa të Hysajt kërkon mbrojtës më sulmues si Lainer, Sabali dhe Arias.

Kur mbrojtësit sulmojnë, mbrojtjen e ndihmon mesfusha, më saktë mesfushorët e qendrës, Hamshik dhe Diavara. Duke u përshtatur me skemën e trajnerit Ançeloti, edhe në Kombëtare Hysaj mund të jetë pastaj një lojtar që do të ndihmojë më shumë sulmin. / Vipsport.al