Alarm në Kroaci për Daliç: Nuk kam vendosur nëse qëndroj

Zlatko Daliç mund të jetë trajneri më i suksesshëm, por edhe me jetëgjatësinë më të shkurtër në historinë e përfaqësueses kroate. Tekniku ka bërë të ditur se nuk ka vendosur ende nëse do të qëndrojë apo jo në pankinën e kësaj përfaqësueseje për edicionin e ardhshëm.

“Më parë do të bëj disa pushime dhe më pas të vendos”, ishin fjalët e tij në konferencën për shtyp pas ndeshjes, duke lënë të kuptohet se nuk ishte e sigurt vazhdimësia e tij në këtë skuadër. “Tani jam gati për pushime. Këto dy muaj ishin shumë të bukur, jam krenar për djemtë, por tani kam nevojë për pak pushime, të kem kohën e duhur të marr një vendim. Tani po mendoj vetëm për një kthim të lumtur në shtëpi”.

Daliç u emërua përkohësisht në pankinën e Kroacisë në tetorin e vitit të kaluar, duke ndihmuar këtë të fundit fillimisht të zinte vendin e dytë në grupin kualifikues e më pas të kualifikohej nëpërmjet play-off. Që atëherë, u fol për rinovimin e tij, por duket se vetë tekniku ka shtyrë gjithçka në pritje të Botërorit. Gjithsesi, për shumëkënd duket thuajse e pamundur që të bëjë më mirë se në Rusi 2018. /vipsport.al/