Zekirija Ramadani: Po përgatitemi mirë, kërkoj nga skuadra mbajtje të topit

Shkupi do të luajë nesër një ndeshje miqësore me Dritën, që është njëkohësisht edhe kampione e Kosovës. Në kuadër të këtij takimi, ka folur tekniku i shkupjanëve, Zekirija Ramadani i cili tregon se ndeshjet miqësore i përdor për të provuar lojtarë të rinj, pasi si qëllim ka mbajtjen e topit në një përqindje të lartë.

“Jemi të kënaqur që deri më tani ka shkuar gjithçka në rrugë të mirë, nuk kemi të lënduar dhe skuadra ka arritur të kap një ritëm më të lartë të përgatitjeve, që sigurisht do shtohet edhe më shumë me fazën e dytë. Sa i përket ndeshjes ndaj Dritës, ne do të bëjmë dy ekipe që do të luajnë nga 45 minuta.

Dëshiroj që tu jap shansin që të gjithë futbollistëve të luajnë. Tani më e kam përmendur se në punën që po bëjmë është aspekti kryesor ngarkesa fizike, nga e cila mund të përfitojmë edhe në duelin e parë kundër Dritës. Qëllimi ynë kryesor do jetë që të kemi posedimin e topit”, u shpreh Ramadani. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/