Shfryhet flluska e Brazilit, zviceranët ndalin pretendentët (VIDEO)

Brazili duket se nuk ka mësuar nga gabimet e dy pretendenteve të tjera, Argjentinës dhe Gjermanisë, duke u ndalur në një barazim 1-1 përballë Zvicrës e duke bërë që tashmë të rrezikojë shumë në një grup të Rusi 2018 ku si rivale do të ketë edhe Serbinë me Kosta Rikën. “Seleçao” shihej si pretendente kryesore për të fituar grupin dhe mes ekipeve që synonin trofeun në këtë vit, por rezultati me Zvicrën komplikon gjithçka.

Në fakt, skuadra e Tite e filloi me vrull duelin, duke dominuar në lojë e krijuar raste të njëpasnjëshme para portës kundërshtare. Ndaj goli i avantazhit i shënuar nga Kutinjo ishte një rrjedhë e kësaj loje, pavarësisht faktit se erdhi me një goditje nga jashtë zonës. Dominimi në kontrollin e manovrës vazhdoi deri në vërshëllimën përfundimtare të pjesës së parë, ku Zvicra u mundua thjesht të mbante sa më larg katërkëndorit kundërshtarët.

Por në pjesën e dytë, pak minuta pas fillimit të këtij fraksioni loje, Zuber barazoi shifrat pas një goditje nga këndi dhe aty loja e brazilianëve ndryshoi. Ata filluan të ndjejnë trysninë e rezultatit, duke ua bërë më të thjeshtë zviceraneve të cilët kuptuan se mund të ndalnin “seleçaon” e sidomos Nejmar, të cilin nuk e lanë asnjëherë të tregonte realisht vlerat e tij.

Brazilianët krijuan shumë raste dhe iu afruan disa herë portës së Somer, por pa arritur të kalonin atë ndonëse Zhezus, Kutinjo e Firmino patën disa mundësi të mira brenda zonës. Ndaj ndeshja u mbyll me këtë barazim që i sheh të dy skuadrat të vihen në ndjekje të Serbisë që ka fituar sfidën e saj të parë. /vipsport.al/

Brazil-Zvicër 1-1
50′ Zuber 20′ Kutinjo

Brazili: Alison, Danilo, Tiago Silva, Miranda, Marselo, Kasemiro (60′ Fernandinjo), Paulinjo (67′ R. Augusto), Kutinjo, Uillian, Gabriel Zhesus (79′ Firmino), Nejmar.
Trajner: Tite

Zvicra: Somer, Lihtshtajner (87′ Lang), Akanji, Shar, Rodrigez, Behrami (71′ Zakaria), Xhaka, Shaqiri, Xhemajli, Zuber, Seferoviç (80′ Embolo).
Trajner: Vladimir Petkoviç

KV: Kasemiro / Lihtshtajner, Shar, Behrami