Rama i qartë: Po vlerësojmë karakterin, s’duam te Partizani lojtarë sa për të marrë rrogën

Gjatë prezantimit të trajnerit Skënder Gega, drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Olsi Rama, pasi ka vlerësuar figurën e tij, ka theksuar se në situatën aktuale klubi po sheh edhe anën e karakterit të lojtarëve që do të ketë për sezonin e ri.

Drejtori Rama u shpreh se nuk kanë më vend në ekipin e kuq, lojtarë që mendojnë vetëm për të marrë rrogën dhe të jenë të qetë. Ja çfarë tha ai konkretisht:

“Shpresoj të jetë me ne sa më gjatë. Arsyet e zgjedhjes së tij? Ai është një nga personat që ka kontribuuar edhe më parë për Partizanin. Zgjedhja e tij ishte vendimi i përbashkët i strukturave të klubit.

Gega vjen nga trajnimi në Amerikë, ku ka të bëjë me një kulturë tjetër të profesionalizmit. Ka kontribuar me ekipet U-19 dhe U-21 të Shqipërisë. Ai i njeh shumë prej lojtarëve. Ne besojmë tek integriteti i tij, që e ka shprehur në fushën e lojës, por edhe si trajner.

Nuk është produktive për një ekip, që të ndërrojë menaxhimin shpesh. Jemi këtu vetëm me shpresën, por edhe besimin se përzgjedhja e futbollistëve do të jetë ajo që duhet për të ardhmen. Një nga gjërat kryesore që kemi bërë këtë herë, është edhe aspekti karakterial i lojtarëve. Të mos vijnë te Partizani për të marrë rrogën dhe të jenë të qetë në punën e tyre.

Unë i vlerësojë trajnerët e huaj për mentalitetin që sjellin. Këtë herë zgjodhëm një trajner shqiptar”. / Vipsport.al