Poloni-Senegal / Kuriozitete dhe formacionet, dueli mes dy yjeve në sulm

Dueli mes Polonisë dhe Senegalit do të jetë një përplasje e dy yjeve në sulm që kanë dhuruar spektakël me klubet e tyre gjatë sezonit, Robert Levandovski dhe Sadio Mane.

Levandovski ishte i jashtëzakonshëm gjatë kualifikueseve, duke shënuar më shumë se çdokush tjetër në zonën e Europës, 16 gola në 10 ndeshje, më shumë se gjysmën e 28 golave të Polonisë. Nga ana tjetër, Mane mbylli sezonin me 20 gola për Liverpulin, 10 nga të cilët në Ligën e Kampioneve ku arrit deri në finale.

Polonia
Ky është Botërori i 8 për Poloninë, por vjen pas një “pushimi” 12 vjeçar, që nga edicioni i vitit 2006. Për herë të fundit, kjo skuadër ka kaluar fazën e grupeve në vitin 1986, ndërsa ka humbur 6 nga 8 ndeshjet e fundit në Botërorë. Në të gjithë këto 8 ndeshje, nuk ka arritur të ruajë portën e paprekur.

Edhe statistikat nuk janë perfekte sa i përket ndeshjes së hapjes, pasi Polonia ka fituar vetëm 1 nga 7 ndeshjet e para që ka luajtur në Botëror, një fitore 3-2 ndaj Argjentinës në vitin 1974. Në fakt, në asnjë prej 5 ndeshjeve të fundit hapëse, nuk kanë arritur as të gjejë rrjetën.

Trajneri Adam Navalka është një armë më shumë për përfaqësuesen polake, pasi ai ka luajtur vetë një Botëror në vitin 1978, ndërsa arriti të çonte skuadrën deri në çerekfinalet e Euro 2016. Gjithsesi, ai nuk ka arritur të korrigjojë disa probleme në mbrojtje, pasi Polonia arriti të mbyllte vetëm 2 ndeshje pa pësuar gola në kualifikuese.

Senegali
Skuadra afrikane vjen me shpresa të mëdha në këtë Botëror të dytë të saj, e drejtuar nga një trajner i ri si Aliu Cise, por jo në maksimumin e formës. Në miqësoret e zhvilluara në vitin 2018, kjo skuadër ka regjistruar vetëm një fitore me Korenë e Jugut, pasi është mundur nga Kroacia e ka barazuar me Uzbekistanin, Bonjë Hercegovinën dhe Luksemburgun.

Aliu Cise është një trajner i ri, i cili ishte kapiteni i përfaqësueses në herën e parë dhe të fundit kur Senegali mori pjesë në një Botëror, në vitin 2002, ku ishte një nga surprizat më të këndshme pasi mundi edhe Francën kampione në fuqi. Asokohe, skuadra kaloi grupet e pamposhtur, duke shkuar deri në çerekfinale ku u eliminua nga Turqia,

Sigurisht, gjithçka sillet rreth Mane në këtë ekip dhe sulmuesi ka qenë vendimtar jo me gola, por me asiste, duke dhënë 3 të tillë gjatë fushatës kualifikuese në Afrikë.

FORMACIONET E MUNDSHME

Protagonistët

Polonia ka ndryshuar pak gjëra gjatë këtyre viteve dhe Levandovski mbetet forca kryesore në repartin e avancuar, me treshen Blashczikovski-Zielinski-Grosiçki që vepron pas krahëve të yllit të Bajern Mynih. Në Poloni presin shumë këtë vit, aq sa edhe posta nxori në treg 5 milionë pulla poste me fytyrën, emrin dhe logon RL9.

Nëse Mane është sulmuesi kryesor, edhe mesfusha ka lojtarë me eksperiencë të madhe në kampionatin anglez, pasi aty rreshtohen Ndiaje, Kojate dhe Gueje. Në prapavijë, Kalidu Kulibali i Napolit është ai që koordinon të gjithë mbrojtjen dhe është një nga liderët e kësaj skuadre. /vipsport.al/