Pesimizëm dhe dyshime për të ardhmen, ja kush janë titullarët në dilemë te Skënderbeu!

Tashmë është e qartë se Skënderbeu nuk do të jetë ai që ka qenë, por qëllimi i drejtuesve të klubit korçar është që të kenë një ekip të mirë deri në fundin e këtij viti.

Presidenti Takaj ka nisur të bisedojë me lojtarët këto ditë, duke synuar t’i bindë ata për kontratën e sezonit të ri, që përmban edhe rrezikun e saj brenda, sepse varet shumë nga vendimi përfundimtar i KAS-it.

Këtë situatë, shumë nga futbollistët titullarë të Skënderbeut e shohin me pesimizëm, pasi nuk besojnë se vendimi do të jetë pozitiv. Janë disa lojtarë të rëndësishëm, që nuk e kanë marrë ende vendimin përfundimtar, por që më shumë mendojnë për largimin se për qëndrimin te Skënderbeu, pavarësisht dëshirës së mirë.

Në këtë grup bëjnë pjesë lojtarë si Radas, Osmani, Mici, Vila, Muzaka dhe ndonjë tjetër. Disa lojtarë kanë kontratë dhe nuk mund të largohen, por sërish kërkohet përvoja e lojtarëve të përmendur më sipër.

Shehi, Vangjeli, Gavazaj, Nimaga, Lilaj dhe Soue nuk janë më pjesë e skuadrës korçare dhe ky fakt vë në dilemë të madhe për vazhdimin edhe pjesën tjetër të titullarëve. / Vipsport.al