Një selfie pas turpit tërbon gjermanët, Brandt nën akuzë

Humbja përballë Meksikës në ndeshjen e parë në grup ishte një nga momentet më zhgënjyese të Gjermanisë në Botërorët e fundit. Ndaj thuajse të gjithë lojtarët u larguan kokulur drejt dhomave të zhveshjes. Thuajse të gjithë, pasi Julian Brandt u ndal duke qeshur pranë tunelit dhe pasi mori një celular, shkrepi një foto me një tifoz në tribunë.

Pamjet e yllit të Bajer Leverkusen shëtitën në të gjitha mediat gjermane dhe ndaj tij filloi gjyqi publik se si kishte bërë një gjest të tillë, në një ndeshje ku pakkush meritonte notën kaluese në radhët e gjermanëve.

“Padyshim që pas një ndeshje të tillë ka shumë zhgënjim, pasi njerëzit janë të nervozuar. Edhe unë po shkoja drejt tunelit kur ky djali i vogël më thërriti. Nuk e mendova dy herë”, shpjegoi futbollisti për mediat gjermane.

“Në atë moment ia bën ose jo një nder këtij fëmije. Unë personalisht nuk e mendova dy herë, mora telefonin dhe bëra foton”, ishin fjalët e lojtarit për t’u justifikuar për atë moment pas përfundimit të ndeshjes. /vipsport.al/