Një brazilian u thur lavde shqiptarëve të Lacios: Tare inteligjent, Strakosha do të shpërthente patjetër

Shqiptarët janë protagonistë te klubi i Lacios. Për Igli Taren dhe Tomas Strakoshën në fakt nuk ka nevojë për shumë komente, sepse po e tregojnë me vepra se janë vërtet të zotët, por kur komplimentet vijnë nga të huajt, kanë gjithmonë diçka të veçantë.

Për “RMC Sport” ka folur braziliani Vinicius Freitas, ish-mbrojtësi i Lacios dhe aktualisht lojtar i Çapekoenses, i cili ka bërë elozhe për dy shqiptarët:

“Tani që luaj me Çapekoensen ndjej krenari, duke ditur atë që ndodhi. Jam i lumtur që jam pjesë e kësaj familjeje. Kapiteni para çdo ndeshjeje na kujton se duhet të luajmë për ata që nuk janë më dhe kjo na motivon.

Felipe Anderson? Kur isha në Romë, ai ishte i lumtur te Lacio. Kemi folur vetëm gjatë pushimeve, jo për futbollin në fakt. 40 milioni për të? Është një lojtar i rëndësishëm, i një niveli të lartë. Me Lotiton është gjithmonë e vështirë të bësh bisedime. Lacio duhet ta mbajë Felipe Andersonin, por, nëse do ta shesë, Tare, i cili është një drejtor shumë inteligjent, do të marrë një tjetër lojtar të mirë.

Strakosha është një talent i madh. Ka shpërthyer dhe ka treguar talentin e tij. Dukej që në stërvitje çfarë niveli kishte. Nuk ëhstë një surprizë për mua”, – ka thënë lojtari brazilian”. / Vipsport.al