Më në fund Tirana, brenda javës firmos ish-sulmuesi i Vardarit

Rikthimi i Tiranës në Superiore është parë disi me skepticizëm sa i takon përfaqësimit që pritet të bëjnë bardheblutë ne elitën e futbollit shqiptar. U rinovua kontrata me trajnerin Ze Maria dhe kjo është pozitive, por vetë braziliani e ka thënë qartë se skuadra ka nevojë për afrime cilësore.

Sa janë bërë deri tani? Asnjë. Por duket se diçka ka nisur të lëvizë. Teksa vëmendjen e ka marrë më së shumti çështja e borxhit të Gjergji Muzakës, është gati afrimi i parë zyrtar te bardhelbutë.

Ish-sulmuesi i Vardarit, Dejan Blazhevski, brenda kësaj jave pritet të nënshkruajë kontratën me Tiranën. Kuptohet që është shumë pak, por të paktën nisin lëvizjet. Blazhevski është një sulmues me përvojë, 32-vjeçar, i cili luan në tre pozicionet e sulmit, në të dy krahët dhe në qendër. Në karrierën e tij ka luajtur edhe në Greqi dhe Azerbajxhan, përveç kampionatit maqedonas.

Skuadrës bardheblu i duhet të përforcojë të gjithë repartet për të qenë aty ky duhet në sezonin e ri dhe për të mos luftuar për mbijetesë, si dy sezone më parë. / Vipsport.al