Lopetegui tregon prapaskenën e largimit: Më kërkuan diçka tjetër para shkarkimit

Lajmi më i bujshëm i ditëve të fundit, ishte shkarkimi i Julien Lopeteguit nga drejtimi i kombëtares spanjolle, pasi ky i fundit kishte firmosur një kontratë me Real Madridin dhe do të bashkohej me to pas Kupës së Botës.

Zërat për një largim të mundshëm, lindën që ditën kur u bë publik lajmi për emërimin e tij në krye të Realit, ndërkohë që shkarkimi nga Kombëtarja, erdhi një ditë më vonë. Në një prononcim për mediat spanjolle, Lopetegui ka treguar një prapaskenë që lidhet me largimin e tij nga Kombëtarja.

“Më thanë që është më mirë që të jepja dorëheqjen, por unë nuk mund ta bëja këtë. Nuk e ndjeja që të jepja dorëheqjen nga skuadra, duke qenë se kisha marrë përsipër përgjegjësitë për të drejtuar denjësisht të dyja skuadrat.

I thash edhe presidentit, ‘nuk e jap dorëheqjen, nëse do më shkarko’. Sinqerisht nuk kuptova asgjë, megjithatë mund të them se ishte zgjidhja më e keqe ajo që u bë”, u shpreh Lopetegui. /Erjon Allaraj- Vipsport.al/