Lëv kundër “mallkimit të kampionit”: Mos kaloni në panik

Joakim Lëv as që e mendon eliminimin në fazën në grupe të Botërorit, siç ka ndodhur në 3 nga 4 Botërorët e mëparshëm. Trajneri që shpalli Kampione Bote Gjermaninë katër vite më parë, pas humbjes përballë Meksikës, ka deklaruar se nuk është koha për të kaluar në panik, pasi situata nuk ishte aq e zymtë sa mendohej.

“Jam i zhgënjyer, kemi bërë një pjesë të parë të keqe, por do të fitojmë ndeshjen e radhës dhe nuk më shqetëson tani të mendoj se kush do të jetë kundërshtari në fazën tjetër. Nuk di pse skuadrave të tjera u ka ndodhur eliminimi në fazën në grupe, por kjo nuk do të na ndodhë ne, do të kalojmë turin”, premtoi ai.

“Nuk ishim mësuar të humbnim ndeshjen e parë, është një zhgënjim. Por tani duhet të përshtatemi, të mos humbim toruan e të ndryshojmë tërësisht mënyrën tonë të lojës. Nuk është nevoja të kalojmë në panik, Kemi dy ndeshje para dhe shumë mundësi për të korrigjuar këtë rezultat”, vijoi ai.

“Në pjesën e dytë luajtëm lojën tonë dhe nuk na mungoi energjia. Në pjesën e parë luajtëm keq, humbëm topin në mesfushë. Padyshim ishim nervozë, neglizhentë, nuk krijonim hapësira dhe nuk punuam siç duhej nga krahët”, shpjegoi Lëv arsyet e kësaj disfate. /vipsport.al/