Kundërshtarët në Ligën e Europës  / Te Luftëtari ka optimizëm: Synojmë të kalojmë turin

Luftëtari bëhet gati për pjesëmarrjen e parë në historinë e tij në Europë dhe sot ka njohur 5 kundërshtarët e mundshëm me të cilët do t’i vendosë përballë shorti. Ndonëse debutues në arenën ndërkombëtare, në kampin gjirokastrit ka entuziazëm dhe këtë e konfirmon për “Vip Sport” edhe zëdhënësi për shtyp i klubit gjirokastrit, Rigels Malile.

“Ne jemi debutues, kështu që sido që të jetë, ne do të shijojmë pjesëmarrjen fillimisht. Por kjo nuk do të thotë që nuk kemi synime për të kaluar të paktën një tur. Nuk diskutohet që do të jetë në varësi të kundërshtarëve. Por me çfarë shohim nga ndarja e sotme, rivalët janë pak a shumë të të njëjti nivel. Të shohim se çfarë na jep shorti për të përcaktuar objektiva konkrete.

Trajneri është optimist,sepse mendojmë se skuadrën e kemi më të mirë se sa vitin e kaluar, ndonëse Abazaj e Bregu të larguar janë emra me shumë peshë. Por ata që kanë ardhur besoj se do të justifikojnë pritshmërinë”, shpjegoi Malile situatën e ekipit pasi ka mësuar 5 emrat e rivalëve të mundshëm që do të kenë përballë në shortin e së mërkurës. /vipsport.al/