Kosova është Shqipëri! Zviceranët prezantojnë si prurje nga Shqipëria një ish të Feronikelit

Në Zvicër janë të bindur se Shqipëria dhe Kosova janë një, edhe sa i përket kampionatit të futbollit. Ndoshta kjo është arsyeja pse një futbollisti i transferuar në kampionatin zviceran nga radhët e një klubi në Kosovë, është prezantuar si një lojtar i cili vinte nga Shqipëria.

Klubi i Nojshatel Ksamaks, i sapongjitur në elitën e futbollit zviceran, ka filluar përforcimet për sezonin e ri dhe emri i parë ka qenë ai i mesfushorit Hamed Kone nga Bregu i Fildishtë, lojtar i cili në sezonin e fundit ka qenë pjesë e Feronikelit në kampionatin kosovar.

“Ai është rritur në akademinë Zhan-Mark Guijo në Abixhan. Më pas ka luajtur në Japoni (kategoria e dytë), në Rumani (kategoria e parë) dhe në Emiratet e Bashkuara Arabe (kategoria e parë). Vitin e kaluara, ai luajti në Shqipëri në kategorinë e parë”, shkruhej në njoftimin e klubit për transferimin e futbollistit. /vipsport.al/