Kapelo për Botërorin: Ndeshje të bezdisshme, vetëm qarkullim dhe kthim i topit prapa

Fabio Kapelo, trajneri i famshëm italian, aktualisht opinionist, ka folur së fundi për Botërorin e Rusisë, duke dhënë një mendim për skuadrat që i njeh më mirë, Rusinë dhe Anglinë, por edhe për favoritët për fitimin e trofeut. Don Fabio ka prekur edhe temën e Italisë, sigurisht, ndërkohë që ka shumë kritika për nivelin e lojës :

“Ndeshjet e para kanë qenë të bezdisshme, me një nivel të ulët. Interesant është fakti se të vegjlit kanë treguar se janë në gjendje t’i përballojnë të mëdhenjtë. Skuadrat e mëdha do të rriten me kalimin e ndeshjeve. Kemi parë një futboll të ngadaltë, pasi edhe gjendja fizike nuk është optimale.

Mungesa e Italisë? E hidhur, para së gjithash për nivelin e garës, që nuk është i lartë.

Po shënohen pak gola, sepse i kushtohet rëndësi mbajtjes së topit dhe ka kthime të shpeshta prapa. Nuk shkohet drejt portës kundërshtare dhe qarkullimi i topit bëhet i lodhshëm. Ka pak ide, me mesfushorët që kthejnë topin prapa sa herë që e rikuperojnë. Skuadrat duhet të jenë më të shpejta në rikuperimin e topit.

Spanja? Bëj tifo për Hierron, sepse ka qenë lojtari im, por mendoj se Spanja gaboi që shkarkoi Lopeteguin, pavarësisht arrogancës së  Realit.  E dimë si është Perez.

Ronaldo kundër Mesit? Të parin e pashë shumë të nervozuar pas finales së Championsit, sepse ndoshta kishte frikë se humbet “Topin e qartë”. Është mirë fizikisht, ndërsa Mesi, me humbjen e penalltisë, ra në nivelin e lojës së skuadrës dhe nuk ishte më ai i  Barcelonës. Mesfushorët e Argjentinës janë shumë të ngadaltë dhe Mesi nuk më duket në gjendje të mirë.

Pastaj, Mesi ka gjithmonë Maradonën si makth mbi kokë. Nejmar? Duket që i mungon ritmi i ndeshjeve. Brazili hyri në fushë shumë i qetë, e uli pak ritmin pas 1-0 dhe u ndal në barazim. Prisja më shumë nga Brazili në fakt, sepse i njoh idetë e Tites. Është skuadra që më ka zhgënjyer me shumë.

Rusinë e njoh mirë, pasi 9 lojtarë janë që nga koha kur e drejtoja unë. Kanë probleme në mbrojtje, ku dy qendrat nuk janë në lartësinë e pjesës tjetër të skuadrës.

Anglia është një skuadër shumë e re. Edhe ajo ka probleme në mbrojtje, por ka mesfushë dhe sulm me shumë kualitet. Është një skuadër e mirë, që ka mundësi të shkojë përpara. Gjithçka varet nga gjendja fizike”, – është shprehur Kapelo. / Vipsport.al