Pas Sabien Lilajt, ka edhe një tjetër largim zyrtar nga Skënderbeu

Ditë të vështira për Skënderbeun dhe të ardhmen e tij. Një moment kyç për ekipin që vitet e fundit ka bërë histori. Vendimi i fundit i KAS-it ishte negativ dhe korçarët nuk mund të luajnë në Europë. Kjo situatë ka bërë që shumë lojtarë të mendojnë largimin, ndërsa trajneri Daja është i pavendosur.

Sabien Lilaj firmosi dje në Azerbajxhan. Mesfushorit korçar i kishte përfunduar kontrata dhe klubi nuk arkëtoi asnjë lek për këtë lëvizje. Por ka përfituar nga shitja e Nimagës, largimit të dytë nga Skënderbeu, siç bën me dije “Sport Ekspres”.

Mesfushori nga Mali nuk do të jetë më pjesë e korçarëve. Ai është shitur, por emri i skuadrës së re mbahet ende sekret dhe do të zbulohet ditët në vazhdim.

Lilaj dhe Nimaga janë dy largimet e para nga ekipi i sezonit të fundit, por pritet që gjatë javës që fillon nesër, të ketë të tjera largime. / Vipsport.al