Ferhan Hasani largohet nga Shkëndija, e zëvendëson lojtari i Skënderbeut

Kapiteni Ferhan Hasani është larguar përfundimisht nga Shkëndija e Tetovës. Pritet vetëm zyrtarizimi i këtij lajmi nga klubi kampion i Maqedonisë. Hasani pritet të kalojë në Turqi dhe drejtuesit e Shkëndijës prej kohësh po kërkojnë zëvendësuesin e tij.

Kandidati kryesor për të zënë vendin e kapitenit të Shkëndijës është sulmuesi afrikan i Skënderbeut, Xhejms Adeniji. Trajneri Osmani e ka ndjekur nga afër në ndeshjen e Kupës e Shqipërisë me Laçin dhe e ka shprehur pëlqimin për sulmuesin nigerian.

Gjasat janë të mëdha që sulmuesi i Skënderbeut të kalojë te Shkëndija dhe në këtë rast bëhet fjalë për një shitje, nëse do të realizohet, sepse sulmuesi ka kontratë deri në fund të vitit me klubin korçar.

Sipas shtypit maqedonas, për sulmuesin Xhejms po interesohet aktualisht edhe FC Shkupi. / Vipsport.al