Bushi: Superiorja ka rritje të jashtëzakonshme. Në shtator do ftoj ata që lë Panuçi

Alban Bushi është shfaqur sot para mediave në një konferencë për shtyp ku ka bërë analizën e miqësoreve të luajtura në këtë periudhë. Sipas tij, lojtarët që vinin nga jashtë e kanë luajtur ndaj Bjellorusisë, e kishin kaluar testin.

“Lojtarët që erdhën nga jashtë kaluan testin, janë shumë të tillë që do të jenë e ardhmja e Shqipërisë, do të jenë faktorë në eliminatoret e ardhshme. Edhe klubet ku luajnë janë elitare, shumë të mira ku kanë mundësi të luajnë, siç kanë bërë, kjo është e rëndësishme, që lojtarët të luajnë sa më shumë”, deklaroi ai.

Për mënyrën se si do të përgatitet ekipi për ndeshjen me Spanjën në shtator

“Ne kemi dëshirë të mbajmë topin, kemi bërë lojë të tillë nga e para te e fundit. Por me Spanjën do të mundohemi të luajmë ndryshe, kemi kohë deri në atë ndeshje. I kemi studiuar dhe e dimë që ata kanë siguruar kualifikimin. Do të mundohemi të afrojmë lojtarët me të mirë, do të marrim të gjithë ata që nuk do të grumbullojë Panuçi. Rezultati nuk ka rëndësi, e rëndësishme është të bëjmë lojë të mirë”.

Për problemet në sulm

“Kemi pasur probleme me sulmuesit, nuk është se kanë shënuar shumë, kanë qenë të dëmtuar gjatë sezonit. Për shembull Durmishaj, i cili ishte sulmuesi kryesor, ka luajtur vetëm 2 ndeshje, në fund morëm Manajn që nuk kishte luajtur. Por edhe për golin e portierit jam i kënaqur se kur shënon në minutën e fundit për barazim është si për fitore. Ai gol i jep moral edhe atij”.

Për futbollistët nga Superiorja

“Kampionati shqiptar ka bërë rritje të jashtëzakonshme. Duke pasur parasysh emra si Guri, Abazaj e tani Çinari që shkojë drejt kampionateve të tjera, kjo tregon se ky kampionat është i mirë. Mendoj se Superiorja ka ecur goxha, duke pasur parash rajonin, komshinjtë nuk janë edhe aq mirë. Ky është një kampionat që ka një garë, që shet lojtarë. Ka shumë lojtarë, sigurisht ka edhe mangësi, por po riparohen”.

Për elementët që mund t’i bashkohen ekipit A

“Ka lojtarë që mund të jenë kandidatë për ekipin A. Është një lojtar si Seferi që është shumë afër ekipit A. Por pastaj e di trajneri. Mendoj se kombëtarja ka bërë mirë, pa marrë parasysh ndeshje si ajo me Kosovën se ishte fund sezoni. Por në ndeshje të tjera ekipi ka bërë mirë dhe mendoj se do të bëjë më mirë në të ardhmen”. /vipsport.al/