Botërori në Vipsport/ Nga Salah te dueli iberik, parashikimet e Eridës për ditën e dytë

Botërori vazhdon sot me ndeshjet e ditës së dytë, ku dhurohen përballje mjaft interesante dhe zbresin në fushë disa nga yjet më të shndritshëm të turneut. Por si mund të përfundojnë ndeshjet sot?

Këtë ua tregon Erida Bajrakurtaj, ekspertja e Vipsport sa u përket parashikimeve për Rusi 2018. Pasi gjeti me saktësi Rusinë fituese në ndeshjen e parë, futbollistja simpatike jep edhe mendimet e saj për tre ndeshjet e sotme. Mos i humbni, ashtu si edhe ato në ditët në vazhdim, gjatë të gjithë turneut në rubrikën “Parashikimet e Botërorit”.

Parashikimi për Spanjë-Portugali

“Unë mendoj që Spanja fiton pasi është nivel më i lartë se të gjithë. Pastaj mos harroni që ajo luan ende tiki-taka dhe nuk e humbin topin kurrë. Lojtarët e Spanjës kanë vite që luajnë bashkë dhe kanë një harmoni të jashtëzakonshme për sa i përket leximit të lojës. E gjejnë njëri tjetrin me sy mbyllur. Pika më e fortë është grupi. Dua të them gjithashtu se lojtari im i preferuar i kësaj skuadre është Serxhio Ramos.

Nga ana tjetër Portugalia vjen në Botëror me statusin e Kampiones së Europës dhe ka zhvilluar eliminatore të mira. Kanë sulmues të fort, si Kristiano Ronaldo, por shihni me vëmendje edhe Guedes, i cili ka zhvilluar super-sezon me Valencian. Por besoj që me Spanjën nuk krahasohet dot. Edhe pse them se fiton Spanja, do të jetë një përballje e bukur, gjithmonë këto dy ekipe kanë dhuruar spektakël kur janë vënë përballë njëri-tjetrit

Sa i përket ndeshjes Uruguai-Egjipt, mendoj se favorit kryesor për këtë takim janë uruguaianët, duke qenë se kanë një sulm shumë të fortë. Suarez është lojtari që dallohet më shumë në skuadër dhe arrin të bëjë diferencën dhe duhet pranuar që ka një goditje potente dhe të fortë. Edhe Salah ka bërë një sezon të mirë, por nuk mendoj se Egjipti ka forcën për të ndalur Uruguain.

Në ndeshjen Iran-Marok, shoh iranianët si fitues, edhe pse të dyja janë skuadra thuajse të një niveli”, – u shpreh Bajrakurtaj për “Vipsport”. /Vipsport.al/