Botërori në VipSport / Dita e tretë, parashikimet e Eridës për katër ndeshjet

Vazhdon rubrika e veçantë e Vip Sport për Botërorin 2018, me parashikimet e futbollistes Erida Bajrakurtaj e cila tregon se si i sheh duelet e këtij Botërori. Sot luhen katër ndeshje mjaft interesante, që shohin në fushën e lojës ekipe pretendente për të fituar aktivitetin dhe lojtarë të cilët pritet të jenë mes yjeve më të ndritshëm të këtij aktiviteti i cili është në ditët e tij të para.

Lexoni më poshtë parashikimet e Eridës për ndeshjet e sotme:

Francë-Australi

“Favoritja ime për të fituar këtë ndeshje është Franca. Sigurisht, sepse ka ekip më cilësor me lojtarë më energjikë dhe që bëjnë diferencën në klubet ku janë. Më interesant është fakti se janë në rritje si lojtarë, pra kanë mundësi të tjera përmirësimi, edhe për faktin se ka një përbërje të re në moshë. Franca është realisht një ekip shumë eksploziv dhe në rritje”.

Argjentinë-Islandë

“Padyshim që Argjentina është mes pretendentëve kryesorë për të fituar Botërorin dhe me të drejtë, pasi ka superekip. E kotë të kujtoj që ka edhe Mesin. Prandaj them që nuk e diskuton fitoren në ndeshjen e sotme”.

Peru-Danimarkë

“Këto janë dy skuadra të cilat kanë një lojë pothuajse të njëjtë në fakt dhe jo aq dominuese sa ekipe të tjera në Botëror, ndaj pres një sfidë të barabartë. Danimarka mendoj se është pak më e avantazhuar për fitoren meqë ka një sulm më të mirë”.

Kroaci-Nigeri

“Kroacia është favoritja ime për të fituar këtë sfidë. Kjo pasi ka shumë lojtarë të mirë, një mesfushë shumë cilësore me emra të mëdhenj. Deri tani ka bërë lojë të bukur dhe me sulmin që ka nuk është problem të shënohen gola. Kurse ekipet afrikane e kanë shumë të vështirë dhe zakonisht u duhet ndonjë mrekulli për të bërë paraqitje të mirë në Botëror”. /vipsport.al/