Botërori në Vip Sport / Parashikimet e Eridës, nga Januzaj te Anglia

Botërori ka hyrë sot në ditën e pestë të tij dhe ekspertja e Vip Sport, Erida Bajrakurtaj, jep mendimet e saj se si pritet të jetë rrjedha e ndeshjeve që sheh të zbresin në fushë disa ekipe që kanë filluar me bujë aktivitetin.

A do të t’ia dalë Suedia pa Ibrahimoviç përballë Koresë së udhëhequr nga Son? Po Januzaj & Co, a do të arrijnë më në fund të konfirmojnë statusin e tyre si një ekip pretendent? Çfarë pritet nga Anglia që nis gjithmonë aktivitete të tilla si pretendente? Përgjigjet, i gjeni më poshtë në rubrikën “Parashikimet e Eridës”.

Suedi-Koreja e Jugut
“Mendoj se Suedia ka një përbërje më të mirë se Koreja e Jugut, qoftë edhe për faktin se europianët janë një nivel më lart se skuadrat e kontinenteve të tjera, sidomos aziatikët. Sulmi i Suedisë ndjen mungesën e Ibrahimoviç, me të do të ishte diçka tjetër. Por në Botëror nuk vjen asnjëherë i papërgatitur ndaj mendoj se kanë armët për të mundur Korenë e Jugut. Te kjo e fundit, i vetmi lojtar që bën diferencën është Son i Totenhem. Nëse e bllokojnë atë, gjithçka bëhet më e thjeshtë”.

Belgjikë-Panama
“Belgjikën e shoh si fituese të këtij dueli, pasi besoj se është shumë më lart në nivel se skuadra kundërshtare, e cila debuton në turne. Pastaj na tërheq më shumë fakti të shohim një shqiptar si Januzaj në fushën e lojës. Gjithsesi, jemi të gjithë të ndërgjegjshëm që cilësia e individëve të Belgjikës është më e lartë se e shumë skuadrave të tjera, edhe pse për momentin nuk e shoh mes pretendentëve për të fituar turneun”.

Angli-Tunizi
“Skuadrat europiane janë gjithmonë më të favorizuara, por Anglia është një nga ato skuadra klasike të cilat gjithmonë renditen mes favoriteve për fitore, ndonëse shpesh kohët e fundit nuk ia ka dalë të shfaqet në nivelet më të larta. Sigurisht që këtë herë është në nivel më të lartë sesa kundërshtari që ka përballë, ndaj e shoh si favorite për të fituar”. /vipsport.al/